Kamatat më të larta në rajon

Apr 21  Author. Comments: 0
Mesatarja e normave të interesit në kredi në Kosovë sillet rreth 15.1 për qind. Bankat komerciale në Kosovë janë më të shtrenjtat në rajon, përderisa në Mal të Zi janë 9.2 për qind, Kroaci - 9.3 për qind, Maqedoni - 9.9 për qind dhe në Shqipëri – 13 për qind
Kosova u prinë të gjitha vendeve të rajonit me normat më të larta të interesit. Mirëpo, nuk dallon shumë sa i përket kredive të këqija, madje është tri herë më mirë se Maqedonia.

Mesatarja e përgjithshme e normave të interesit të kredive në Kosovë për vitin 2008 ishte 15.1 për qind, thuhet në një raport të Institutit për Hulumtime
Zhvillimore “Riinvest”. Normat e interesit në Malin e Zi janë rreth 9.2 për qind, në Kroaci 9.3 për qind, në Maqedoni 9.9 për qind, ndërsa Shqipëri dallon nga Kosova me norma të interesit vetëm për 2 për qind më lirë.

Njohës të sistemit bankar në Kosovë pohojnë se kamatat e larta e pengojnë zhvillimin ekonomik dhe krijojnë ambient për dështimin e shumë bizneseve për shkak të ngarkesës së lartë.

Sipas këtij raporti, Kosova ka intensitet të ulët kreditor të shoqëruar me normat më të larta të interesit në rajon, ndërsa fitimet e bankave janë ndër më të lartat.

Vetëm nga kamatat, vjet bankat kanë fituar 146 milionë euro, nga 195 milionë euro sa ka qenë totali i të ardhurave për të gjitha bankat në Kosovë.
Në janar të këtij viti depozitat në bankat komerciale të Kosovës kanë arritur vlerën 1.42 miliardë euro, ndërsa kreditë 1.189 miliardë euro.

“Rritja e nivelit të depozitave dhe kredive tregon se sektori bankar i Kosovës është duke u zhvilluar dh duke e rritur rolin e tij në zhvillimin ekonomik”, thuhet në raport.

Megjithatë, sistemi bankar i Kosovës është i koncentruar në tri bankat më të mëdha kosovare, ku janë të përqendruara 90 për qind të aseteve, 88 për qind të depozitave dhe 81.5 për qind të kredive.

Hulumtimi i Institutit “Riinvest” tregon se rritja e numrit të bankave, në tetë sosh, ka rritur konkurrencën, mirëpo vetëm për sa i përket kamatave më të favorshme për depozita, ndërsa norma e interesit të kredive vetëm sa është rritur. Për depozita kamatat janë rreth 4 për qind, që nuk dallon shumë për nga vendet tjera.

“Kushtet e tregut të kredive kanë favorizuar këtë gjendje. Mirëpo, mbetet të analizohet nëse Qeveria e Kosovës dhe organet mbikëqyrëse kanë krijuar mundësi për konkurrencë më të drejtë në tregun e kreditimit”, thuhet në raport.

Sa i përket kredive të këqija në Kosovë, ato marrin pjesë 3,7 për qind, që janë dukshëm më ulët se në rajon, ku marrin pjesë 5,2 për qind. Në këtë segment, Kosova nuk është më e mira, por prinë dukshëm para Kroacisë dhe Maqedonisë.

Megjithatë, sugjerohet se duhet pasur kujdes sepse, në krahasim me vitin 2005, niveli i kredive të këqija është rritur për 2.5 herë, që tregon se ato janë në rritje, sidomos në bankat e vogla.

Ndërkaq, njohësi i sistemit bankar Flamur Keqa thekson se qasja në financa të shtrenjta në Kosovë ka ndikuar që të mos përmirësohen aftësitë konkurruese të ndërmarrjeve si dhe në shpërfilljen e bizneseve prodhuese, sepse kostoja e bërjes së biznesit është ngritur.

“Këto kushte mund t’i përballojë vetëm sektori i tregtisë”, thotë Keqa.

Sipas tij, kamatat më të larta në rajon, të cilat i ofrohen komunitetit të biznesit dhe qytetarëve, ndikojnë negativisht në zhvillim ekonomik, por edhe në përmirësimin e standardit të qytetarëve të Kosovës. Në këtë pikë bankat nuk i kanë përmbushur pritjet.

“Në këtë aspekt ka dështuar edhe Banka Qendrore, e cila është dashur të luajë një rol shumë më profesional dhe të krijojë një treg më të favorshëm bankar për interesa të ekonomisë”, është shprehur Keqa.

Edhe drejtori i Institutit për Studime të Avancuara “GAP”, Shpend Ahmeti, vlerëson se normat janë të larta kur merret parasysh përdorimi i euros si valutë stabile. Këtë kosto bankat e arsyetojnë me rrezikun politik dhe nivelin e ulët të sundimit të ligjit.

“Ato i demanton pjesëmarrja e kredive të këqija apo të pakthyeshme, e cila ende është shumë e vogël”, thotë Ahmeti.
Ai pohon se kishte shpresua për rritjen e konkurrencës dhe begatimin e ofertës së bankave, mirëpo deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Ahmeti sugjeron institucionet shtetërore së bashku me asociacionin e bankave duhet të vlerësojnë se çfarë reforma duhet ndërmarrë, ashtu që të ulet kostoja e kredive, të përfitojë ekonomia dhe qytetarët dhe të mos lëkundet afarizmi i bankave.


Fakte:

* Në vitin 2008 të ardhurat totale nga norma e interesit të sektorit bankar kanë qenë 146 milionë euro.
* Mesatarja e normave të interesit për kredi në Kosovë është 15.1 për qind, ndërsa për depozita 3.89 për qind.
* Mesatarja e normave të interesit në Shqipëri është 13.6 për qind, Bullgari - 10.8 për qind, Serbi - 11 për qind, Kroaci - 9.3 për qind, Maqedoni - 9.9 për qind dhe në Mal të Zi - 9.2 për qind.
* Pjesëmarrja e kredive të këqija në Maqedoni është 10.9 për qind, Kroaci - 4.8 për qind, Kosovë - 3.7 për qind, Shqipëri - 3.4 për qind, Mal të Zi - 3.2 për qind dhe në Bosnjë e Hercegovinë - 3 për qind.
Email again:

Add a comment

Name:
E-mail:
Comment:
Kosovo Institute of Management